Dr.Florim Cuculi, kërçovari që u promovua docent në Universitetin e Bazelit

Për të bërë promovimin e zgjedhjes së dr. Florimit docent privat, universiteti i Bazelit kishte organizuar një prezantim publik të mësimdhënësit të ri ..

 

Një karrierë nga ato të tipit «nga pjatalarësi te milioneri» ai nuk e ka pasur. Por dr. Florim Cuculi ia ka dalë që, në kushte të jë baze shumë modeste, të bëhet jo vetëm mjek specialist i kardiologjisë por, së fundi, edhe docent privat në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit më të vjetër të Zvicrës, atij të Bazelit.

Bëhet fjalë për djaloshin e dikurshëm, i cili në Zvicër kishte ardhur si 14 vjeçar te babai që punonte në ndërtimtari. I takonte një familjeje me kushte mjaft modeste jetese dhe pa asnjë «begraund» akademik. 

Dhe tash, rreth 25 vjet më vonë, për të bërë promovimin e zgjedhjes së dr. Florimit docent privat, universiteti i Bazelit kishte organizuar një prezantim publik të mësimdhënësit të ri, me temën që lidhet me specializimin e tij.albinfo.ch ka qenë e pranishme në këtë promovim të mbajtur me 4 shkurt

Dr. Cuculi, jo pa emocione, ka mbajtur ligjëratën e titulluar «Arteriet e vogla, ndikimi i madh. Roli i mikrocirkulacionit koronar te infarkti akut i zemrës».

Prezantimin e tij dhe të rrugës së tij jetësore e akademike e ka bërë dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Bazelit, Prof.Dr. med Thomas Gasser. Ai me këtë rast ka vënë në spikamë cilësitë e dalluara të mësimdhënësit të ri të fakultetit që drejton. 

Ligjëratën, dr. Cuculi e ka mbajtur para eprorëve të tij në universitet, kolegëve të punës, miqve dhe para familjarëve të tij që kishin ardhur të ndajnë këtë akt solemn me të birin e tyre të sukseshëm.

Me sinqeritetin që e karakterizon, dr. Florimi flet për prejardhjen e tij nga një fshat i Kërçovës në Maqedoni. Mandej ai e pranon pa komplekse para auditoriumit se arritja e tij ishte e maimagjinueshme për një djalë me këtë prejardhje në kohën kur kishte arritur në Zvicër.

Po kështu ai e vë theksin edhe në arritjet e shqiptarëve të Zvicrës, përmes shembullit të tij dhe të moshatarëve të tij. Ata kanë shënuar rezultate evidente po u pat parasysh baza e ulët prej të cilës janë nisur, ka shtuar doktori, që thotë se është i pari shqiptar i matrikuluar në Universitetin e Bazelit. Ai punon po ashtu si kryemjek në kardiologji, në Spitalin Kantinal të Lucernit.

Dr. Cuculi, me kompetencën e njeriut të shkencës e të praktikës dhe me një paraqitje  mjaft sovrane, referoi lidhur me temën e fushës për të cilën ai është përgatitur. Ai ka shpalosur këtu hollësi lidhur me vendosjen e stentave, llojin e tyre sipas peshës së sëmundjes, reagimin adekuat të kardiologut në varësi nga sulmi në zemër (infarkti) etj.  

Gjatë ligjëratës, dr. Florimi nuk ka harruar të falënderojë Zvicrën për mundësitë e pakufizuara që jep për arsimin në përgjithësi dhe për avancimin profesional, si në rastin e tij, në veçanti. Me këtë rast ai i është referuar specializimit të tij në Universitetin famoz të Oksfordit.

«Po të mos e kisha ndihmën e shtetit, do të më duhej të merrja borxhe prej qindra mijë frangash që të mund të realizoja këtë specializim», e shprehu dr. Cuculi me fjalët më kuptimplote falënderimin për Zvicrën.

Në këtë prezantim, pjesë e auditoriumit kanë qenë edhe disa nga kolegët e tij shqiptarë të Zvicrës, në mesin e të cilëve edhe Prof.Dr. Omer Xhemaili, i njohur si transplantuesi i parë shqiptar i zemrës, dr. Mentor Bilalli, dr. Yllka Latifi etj.

 

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*